Debatet për Kosovën, Vuçiç pro ndarjes në vija etnike

09/08/2018 13:36

Debatet në Kosovë janë nxehur bashkë me temperaturat këto ditë dhe javë të fundit, ndërkohë që frazat më të përsëritura janë ndarje, shkëmbim territoresh apo korrigjim kufijsh.

Presidenti Hashim Thaçi, flet për korrigjim kufijsh dhe bashkim të Preshevës me Kosovën, e gjithë kjo në mënyrë paqësore, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj thotë se kufijtë janë përcaktuar me luftë dhe vetëm me luftë mund të ndryshojnë.

Opozita ndërkohë ka qëndrimet e veta me LDK që thotë se do të kërkojë një interpretim nga gjykata kushtetuese për deklaratat e pamatura, siç i quan ajo, të presidentit. Ndërsa në anën tjetër të kufirit, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thotë hapur se preferon ndarjen e Kosovës përgjatë linjave etnike.

“Unë mbështes ndarjen e Kosovës, kjo është politika ime”, ka thënë Vuçiç për televizionin lokal N1 të enjten. “Të kesh një territor që askush nuk di si ta trajtojë, ose që shërben gjithnjë si burim konflikti të mundshëm, nuk është diçka e mirë. Qartazi, Beogradi do të donte të kishte të tijën Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe, ndërsa Thaçi flet për bashkim me Kosovën të Luginës së Preshevës me shumicë shqiptare.

Kanë qenë vetë drejtuesit lokalë të Preshevës ata që e kanë artikuluar qartë dëshirën e tyre por, ndërsa flasin për bashkim, edhe këtu ka një kleçkë. Lugina e Preshevës përbëhet nga komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, me këtë të fundit që drejtohet nga serbët, dhe në rast të një korrigjimi kufijsh, mund të mbetej jashtë.

Sipas kryetarit të komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, serbët kanë kryer spastrim etnik në Medvegjë, e si rezultat kanë marrë drejtimin e komunës. Por, një zgjidhje e pjesshme për luginën, thotë ai do të sillte një tragjedi humanitare. Sipas Kamberit, Medvegja është pjesë e trungut etnik shqiptar dhe pjesë e pandashme e Luginës së Preshevës.

Top Channel