Ndryshimi i kufijve të Kosovës mund të bëhet vetëm me luftë dhe çështja e vetme që mund të diskutohet me Serbinë është njohja reciproke. Kështu tha në një konferencë për shtyp kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Kufijtë janë vendosur me luftë, veç lufta i luan. Kush kujton se kufijtë luhen ndryshe, është gabim. Këta kufij janë vendosur nga Ushtria Çlirimtarë e Kosovës dhe ndërhyrja e NATO-s. Këta janë kufij lufte. Ajo çfarë ka mbetur me Serbinë është njohja e Kosovës me këta kufij”, tha Haradinaj.
Sipas tij, gjithçka ka mbetur të diskutohet me Serbinë është vetëm njohja reciproke, për të cilën ai thotë se e mbështet presidentin Hashim Thaçi.
“Ndryshimi i kufijve i intereson vetëm (presidentit rus) Vladimir Putinit. Në kontinentin tonë nuk ka tjetër kujt që i intereson. Ne nuk i takojmë hartës së tij. Ne i takojmë një bote tjetër, që e udhëheq Amerika, e ne nuk i përshtatemi lojërave të tij, nuk i luajmë kufijtë”, tha Haradinaj.
Pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj tha se projektstatuti për Asociacionin është dorëzuar dhe ai do të jetë në përputhje me ligjet e Kosovës.
I pyetur nga gazetarët nëse ka qenë i kërcënuar së fundmi, Haradinaj tha se ndihet shumë i sigurtë, ndërsa si me shaka tha se janë “do policë që po i ruan mirë dhe nuk janë të rrezikuar”.
Kërcënohet Haradinaj, shtohen masat e sigurisë për kryeministrin e Kosovës
Top Channel