Foto ilustruese

Atleti shqiptar Izmir Smajlaj u kualifikua në finalet e kampionatit europian në ambient të hapur, që po zhvillohet në Gjermani, duke qëndruar brenda objektivit që ka për t’u ulur në fronin kontinental.

Sportisti shkodran, që garon në kërcimin së gjati, nuk u sforcua shumë në baterinë kualifikuese në grupin A, duke qëndruar brenda limitit që të çon në provën e fundit.

Izmir Smajlaj kërceu plot 7 metra e 71 centimetra në “Olimpiastadion” të Berlinit, duke dalë i shtati në baterinë e tij. Por, rezultatet e rivalëve e cënuan disi provën e shqiptarit. Madje, ai u kualifikua si vendi i fundit mes finalistëve, me pozicionin e 12.

Atleti shkodran, i cili është mbajtësi i rekordit kombëtar me 8.03 m, tani do të synojë të fitojë medaljen e artë mbrëmjen e 8 gushtit, në po të njëjtin impiant.

Shqipëria përfaqësohet në kampionatin europian edhe me një tjetër sportiste. Luiza Gega do të garojë në 3.000 metra me pengesa, fillimisht në baterinë kualifikuese më 10 gusht. Nëse atletja kuqezi arrin të kapë normat, ajo do të diskutojë një vend në podium në finalen e 12 gushtit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA