Courtois pranë kalimit te Reali, Sarri në telashe të mëdha

06/08/2018 12:33

Aventura e Maurizio Sarrit me Chelsean nisi jo në mënyrën më të mirë të mundshme. Trajnerin italian e shqetëson jo vetëm humbja e Superkupës së Anglisë, ndaj Manchester City, por edhe ngathtësia e klubit në lëvizjet e tij në merkaton e transferimeve për këtë mjafton të mendosh që Chelsea ka blerë vetëm Jorginhon dhe merkatoja e transferimeve për Premier Leaguen mbyllet në 9 gusht.

Por jo vetëm kaq, Chelsea-t tani i duhet të zgjidhë çështjen Courtois, i cili duket se është gjithnjë e më pranë largimi nga Blutë për në drejtim të Realit të Madridit. Portierit të përfaqësueses belge i skadon kontrata me klubin londinez në vitin 2019 dhe Reali i Madridit ka ofruar 35 milionë Euro për kartonin e tij, një shifër kjo jo e ulët, ndërkohë që vetë Courtois disa here ka bërë të ditur dëshirën e tij për t’u kthyer në Spanjë për motive familjare.

Pavarësisht një tentative të fundit që do të bëjë Sarri për të mbajtur portierin në Londër, duket se kjo histori është e mbyllur me belgun që do të veshë fanelën e Los Blancos, ndërkohë që Sarrit do t’i duhet të bëjë me Caballeron dhe Robert Green.

I pari vjen nga një dështim i madh në botëror me Argjentinën, ndërsa Green tashmë 38 vjeçar është marrë me parametra zero nga Huddersfield me të cilin në sezonin e fundit nuk luajti asnjë ndeshje.

Chelsea kërkoi Pepe Reinën, me spanjollin që duket se për momentin ka preferuar qëndrimin te Milani. Gjithsesi Blutë e kanë gati ofertën prej 8 milionë Euro për Reinën, që do të ishte një fitim për kuqezinjtë duke qenë se e mori nga Napoli me parametra zero.

Top Channel