Në një intervistë për revistën “Vogue”, ku ka folur ndër të tjera për racën, imazhin e linjat e trupit, fëmijët e saj dhe krijimtarinë, Beyonce ka bërë publik edhe një lajm të paditur më parë. Faktin që ajo rrjedh nga një ish-pronar skllevërish.
“Kam kërkuar për prejardhjen time dhe kam mësuar se vij nga një pronar skllevërish, i cili ra në dashuri dhe u martua me një skllave”, tha ylli amerikan i muzikës. “Zbulimin duhej ta thelloja edhe më tej me kalimin e kohës. Kam kërkuar se çfarë do të thotë kjo dhe jam përpjekur ta vendos këtë në perspektivë. Tashmë besoj se, është pikërisht kjo arsyeja përse Zoti më bekoi me binjakët e mi. Energjia mashkullore dhe femërore kanë mundur të bashkekzistojnë dhe të rriten në gjakun tim për herë të parë. Lutem që jam në gjendje të thyej mallkimet e brezave të tërë në familjen time dhe që fëmijët e mi të kenë një jetë më pak të komplikuar”, vijoi më tej ajo.
Beyonce tha se familja e saj ka një “lidhje të marrëdhënieve të prishura mashkull-femër, abuzimi me pushtetin dhe mosbesimi. Vetëm kur pashë këto, u binda se isha në gjendje të zgjidh këto konflikte në marrëdhënien time personale”, duke iu referuar kështu mosmarrëveshjeve martesore mes saj dhe bashkëshortit Jay Z, teksa është thënë se ai është i pabesë.
Ajo e përshkroi atë “si një ushtar dhe një sistem mbështetjeje kaq i fuqishëm” për vet këngëtaren, në momentin kur solli në jetë binjakët Rumi dhe Sir.
Beyonce zbuloi gjithashtu se binjakët ishin sjellë në jetë përmes operacionit cezarian të detyrueshëm dhe se, ndryshe nga koha kur solli në jetë fëmijën e saj të parë, Blue Ivy, ajo i rezistoi presionit për të ndjekur “gjërat që shoqëria thoshte mbi pamjen e trupit të saj”, e për të përqafuar më pas “faktin e të qenit e kolme”.
Imazhet shoqëruese të intervistës janë bërë nga një fotograf 23-vjeçar, Tyler Mitchell, i cili bëhet i pari afrikano-amerikan që publikon një foto të tij në kopertinën e “Vogue”.
“Ekzistojnë shumë barriera social-kulturore mbi atë se çfarë më pëlqen të bëj, për të prezantuar një pikëpamje të ndryshme për njerëzit që mund të ndihen sikur zërat e tyre nuk kanë vlerë”, tha këngëtarja amerikane.
Top Channel