Ndeshjet e radhës në turneun veror të “International Champions Cup” panë fitues dy ekipet milaneze, Milan e Inter, dhe si humbës Juventusin.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Gennaro Gattuso arritën në sfidën e tyre të fundit në këtë turne në SHBA, që të mposhtin kampionët spanjollë të Barcelonës. Milani fitoi ndaj katalanasve të Valverdes me rezultatin 1-0, megjithëse tekniku “blaugrana” kishte aktivizuar disa të rinj dhe blerjet e reja.

Ai që vendosi fatin në favor të Milanit ishte Andre Silva, që shënoi golin e fitores për italianët në minutën e 93-të, në takimin e fundit që mban fanellën me numrin 9 mbi shpinë.

Me rezultatin 1-0 fitoi edhe Interi ndaj skuadrës së Lyonit, të zhvilluar në Via del Mare të Lecces. Këtë radhë nuk shkëlqeu Icardi, por Lautaro Martinez dhe portieri Handanoviç. Ky i fundit shpëtoi zikaltrit me pritjet e tij në pjesën e parë, ndërkohë që Martinez shënoi golin e fitores për të besuarit e Spallettit.

Ndeshje zyrtare apo miqësore, pak rëndësi ka. Reali i Madridit vazhdon të jetë një makth për Juventusin e Allegrit. Skuadra kampione e Italisë, pa Cristiano Ronaldon në radhët e saj, është mposhtur sërish nga spanjollët, këtë radhë për “International Champions Cup” me rezultatin 3-1.

“Los Blancos”-it bënë gjithçka; Carvajal shënoi autogol duke i dhënë avantazhin Juventusit, por më pas skuadra e Lopeteguit përmbysi rezultatin. Bale barazoi shifrat në 1-1, ndërkohe që në pjesën e dytë u shfaq Asensio, që shënoi dy herë në minutat 47 dhe 56, për t’iu dhënë fitoren 3-1 kampionëve të Europës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA