Mitrovicë, zbarkojnë njësitë elitë të Policisë së Kosovës

05/08/2018 10:55

Njësitë elitare të Policisë së Kosovës kanë nisur të grumbullohen prej orës 6 të mëngjesit të kësaj të diele, në bazën “Belvedere” të fshatit Frashër të Mitrovicës.

Veç pjesëtarëve të policisë, në këtë bazë kanë ardhur edhe forcat e njësisë elitare të njohur si “FIT”, si dhe forca të tjera speciale nga Prishtina.

Ndërkohë, edhe ushtria serbe ka rritur gatishmërinë e saj, siç raportojnë mediet serbe për shkak të tensioneve në Kosovë.

Gazeta serbe “Novosti” shkruan se organet e sigurisë në Serbi kanë rritur aktivitetet e tyre për të parandaluar planet për trazira në veriun e Kosovës, edhe si pasojë e veprimtarisë së qarqeve të caktuara në Serbi, që përmes lajmeve të rreme po shqetësojnë popullatën serbe në veriun e Kosovës.

Pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Serbi, gazeta serbe citon “burime të mirinformuara”, kur thotë se “kreu i shtetit serb po shqyrton masat që do të ndërmerren nëse shkelet marrëveshja e Brukselit dhe refuzohet krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Serbisë u mblodh paraditen e së shtunës, pas informacioneve të shërbimeve të kundërzbulimit serb se shqiptarët po planifikonin të ndërhynin në veri të Kosovës, për shkak të paralajmërimeve të rreme, se serbët do të shpallnin njëanshmërisht formimin e Asociacionit.

Top Channel