Taksa e re e pronës nuk do të mblidhet më nga ujësjellësi, por qytetarët do ta paguajnë në faturën e energjisë. Ministria e financave ka përgatitur projektvendimin, i cili cakton operatorin e shpërndarjes së energjisë si agjent për mbledhjen e taksës së ndërtesave nga qytetarët.
Sipas vendimit, për familjarët taksa do të paguhet në mënyrë të përmuajshme në faturën e dritave dhe më pas OSHEE do ta kalojë atë në llogaritë e bashkive. Ndërsa për ndërtesat e biznesit frekuenca e pagesës do të përcaktohet me vendim të këshillave bashkiakë.
Për shërbimin e mbledhjes së taksës nga qytetarët, vetë operatori i shpërndarjes do të arkëtojë 4 për qind të të ardhurave bruto që mblidhen nga taksa e pronës, ndërsa pjesën tjetër e kalon automatikisht në llogarinë e bashkive.
Deri më tani taksa e pronës është mbledhur në faturën e ujit. Por nga prilli i këtij viti ka hyrë në fuqi formula e re, e cila e llogarit taksën e pronës jo më si fikse, por sa 0.05 për qind e vlerës së tregut që ka ndërtesa.
Kjo do të thotë se për një apartament me vlerë tregu 100 mijë euro, një familje do të paguajë 50 euro taksë në vit ose rreth 4.2 euro në muaj. Formula e re e taksës së pronës ka hyrë në fuqi që nga data 1 prill e këtij viti, edhe pse qytetarët në shumicën e bashkive kanë paguar me metodën e vjetër, pasi bashkitë nuk kanë qenë gati teknikisht për të zbatuar formulën e re.
Për këtë arsye në 1 janar të vitit të ardhshëm do të bëhet rakordimi për periudhën prill janar 2018, mes detyrimit që qytetarët duhet të paguanin me taksën e re dhe asaj që kanë paguar me të vjetrën. Kur detyrimi sipas taksës së re rezulton më I lartë, atëherë qytetarët do të paguajnë diferencën, ndërsa kur taksa e re rezulton më e ulët do të kompensohen me pagesat në vijim.
Top Channel