Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo përmbyll në Xhakartë udhëtimin e tij në Azinë Juglindore, sërish çështja e Koresë së Veriut ka marrë pjesën më të madhe të vëmendjes.
Zoti Pompeo u nis sot drejt Xhakartës nga Singapori, ku pati mesazhe në përziera për marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut ndërkohë që vazhdojnë bisedimet për çnuklearizimin. Gjatë udhëtimit me avion drejt Xhakartës, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, i tha gazetarëve se Sekretari Pompeo dhe Ministri i Jashtëm koreanoverior Ri Yong Hu u takuan dhe shtrënguan duart gjatë sesionit të marrjes fotografisë së përbashkët të pjesëmarrësve në samit.
Sekretari Pompeo i tha homologut se “Duhet të bisedojmë sërish së shpejti” dhe në përgjigje Ministri i Jashtëm koreanoverior Ri Yong Hu tha se “Jam dakort. Ekzistojnë disa dialogje pozitive për t’u zhvilluar”.
Pas kësaj, Ambasadori amerikan në Filipine, Sung Kim, i dorëzoi zotit Ri një letër nga Presidenti Donald Trump drejtuar udhëheqësit së Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Nuk u bë e ditur përmbajtja e letrës.
Një zyrtar i lartë amerikan tha se shkëmbimi mes zotit Pompeo dhe homologut të tij koreanoverior nuk ishte befasues dhe “është diçka që pritet. Pjesa më e madhe ishte pozitive dhe ky është një përmirësim nga e kaluara. Po ndërtojmë një marrëdhënie me Korenë e Veriut pas vitesh të tëra marrëdhëniesh të vështira”.
Top Channel