Chievo Verona po përballet me një hetim në lidhje me akuzat për mashtrim me bilancet në 4 sezonet e fundit dhe rrezikon që të përjashtohet nga Seria A.
Aktualisht nuk ka ende një datë se kur pritet të merret vendimi final, por sot në Ligën Italiane të Futbollit, ka ardhur një kërkesë nga klubi i Crotones.
Kjo skuadër do të përfitonte drejtpërdrejtë nga dënimi i Chievos, pasi do të ngjitej në Serinë A për ta zëvendësuar, si skuadra e renditur në vendin e tretë nga fundi, në sezonin që sapo u mbyll.
Drejtuesit e Crotones kanë kërkuar që të pezullohen dy ndeshjet e para të kampionatit për Chievon, në pritje të vendimit final në lidhje me hetimin që po bëhet ndaj saj.
Kjo pasi Crotone shpreson që të vijë vendimi final brenda ditëve të para të shtatorit, dhe nëse veronezët pezullohen, të jetë skuadra bardhekuqe që do të marrë pjesë në Serinë A.
Nëse Lega Calcio merr në konsideratë kërkesën e Crotones, atëherë Cristiano Ronaldo nuk do të debutojë më 18 Gusht, në sfidën Chievo-Juventus, që është parashikuar të hapë kampionatin, por do të detyrohet të presë fundjavën pasardhëse.
Top Channel