Reshjet e dendura, dy aksidente të rënda në aksin Shupenzë-Peshkopi

02/08/2018 17:55

Ndërkohë që Evropa dhe Shqipëria janë prekur nga një vale e të nxehtit afrikan, qarku i Dibrës është përballur me reshje të dendura pasditen e sotme.

Pikërisht për shkak të lagështirës në rrugë, të shkaktuar nga reshjet, në aksin rrugor Shupenzë-Peshkopi janë regjistruar dy aksidente rrugore.

I pari është shënuar pranë fshatit Vojnik, ku një mjet tip furgon, i drejtuar nag shtetasi J.K. ka përplasur për vdekje këmbësorin 70-vjeçar I.B.

Vetëm pak minuta më vonë, pranë fshatit Grezhdan ka qenë mjeti tip Benz i drejtuar nga E.P., i cili ka përplasur këmbësorin A.I. Ky i fundit ndodhet në gjendje të rëndë dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmën mjekësore.

Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në të dy vendet e aksidenteve dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjeve fatale.

Gjithashtu policia e Dibrës ka bërë apel për kujdes ndaj drejtuesve të mjeteve, pasi lagështia në rrugë mund të shndërrohet në burim aksidenti.

Top Channel