Kambana alarmi për ndërhyrjen ruse në Kongresin amerikan

02/08/2018 19:19

Një ditë pasi rrjeti social Facebook mbylli 32 llogari mediash të rreme që përhapnin mesazhe përçarëse politike, ligjvënësit amerikanë u paralajmëruan se përpjekjet ruse për të krijuar konfuzion dhe polarizim mes amerikanëve, janë më agresive dhe të dëmshme se kurrë më parë.

Si ligjvënësit republikanë, edhe ata demokratë janë të shqetësuar.

Kanë mbetur më pak se 100 ditë deri në zgjedhjet e Kongresit dhe ekpertët e kibernetikës dhe medias sociale, po i bien kambanës së alarmit.

“Manipulimi rus nuk u ndal në vitin 2016. Pas ditës së zgjedhjeve, qeveria ruse i intensifikoi përpjekjet”, thotë John Kelly, drejtor ekzekutiv i kompanisë “Graphica”.

Lajmi për Facebookun konfirmon se problemi vazhdon.

“Operativët e mbështetur nga rusët, vazhdojnë të depërtojnë dhe të manipulojnë median sociale për të marrë nën kontroll debatin kombëtar dhe për t’i vënë amerikanët kundër njëri-tjetrit”, tha senatori demokrat i Komisionit të Zbulimit, Mark Warner.

“Media sociale është forumi modern publik. Dhe po përdoret për të na përçarë”, tha senatori republikan, Richard Burr.

Ligjvënësit në seancën e komisionit shprehën gjithashtu zhgënjim.

“Ne vendosëm sanksione ndaj Rusisë. Duket se ato nuk kanë pasur efekt kur bëhet fjalë për këtë lloj aktiviteti”, tha senatorja republikane, Susan Collins.

Komisioni njoftoi se ekzekutivët e medias sociale do të dëshmojnë muajin e ardhshëm për hapat që duhen marrë për t’u kundërpërgjigjur ndaj fushatave për ndikim të huaj”.

“Facebook, Instagram, Twitter, Google, dhe YouTube kanë ende dhumë punë për të bërë”, tha senatori Warner.

Por a mjafton kjo?

“Platformat e medias sociale nuk mundet dhe nuk duhet të jenë mbrojtëset e vetme të demokracisë dhe diskutimit publik. Prandaj ne sugjerojmë veprime të menjëherëshme për të identifikuar dhe eliminuar fushatat me ndikim negativ dhe ndërgjegjësuar publikun në përgatitje për zgjedhjet e vitit 2018”, thotë Renee DiResta, drejtore kërkimesh në organizatën “New Knowledge”.

Pas më shumë se një viti hetimesh për Rusinë, ligjvënësit thonë se e kanë të qartë synimin e Moskës.

“Është luftë informacioni e pastër, një tjetër lloj lufte për të dobësuar kundërshtarët dhe nga ky këndvështrim i sheh Vladimir Putini Shtetet e Bashkuara”, thotë senatori republikan, Marco Rubio.

Ai është bashkëautori i një projekt-ligji për sanksione të mëtejshme kundër Rusisë, nëse zbulimi amerikan arrin në përfundimin se Moska po ndërhyn në zgjedhjet e nëntorit për Kongresin./ VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA