Qeveria greke ka çuar për miratim urgjent në Parlament, një amendament me anë të të cilit përshpejtohen proceset për prishjen e banesave të paligjshme në zonat pyjore dhe ato bregdetare.
Amendamenti në fjalë, që krijon një bazë të përkohshme ligjore për prishjen e tyre të menjëhershme, në bazë të kritereve objektive derisa kompetencat t’u kalojnë komisioneve të organeve vendore, është bërë publik në një konferencë shtypi të ministrave të Mjedisit dhe të Punëve të Brendshme.
“Krijohet një kuadër kalimtar i përshpejtimit të ndërhyrjeve, si dhe të mundësisë së shembjes në zona që janë totalisht të përcaktuara, siç janë ato që po pyllëzohen, që kanë pësuar dëme nga zjarret, që janë shtrate lumenjsh apo breza kundër përmbytjeve, si dhe për banesa që janë gati për t’u shembur”, tha Georgios Stathakis, ministër i Mjedisit.
Organet greke kanë një listë me të paktën 2.500 banesa informale në zonat pyjore dhe 685 ndërtime të tjera pa leje në zonat bregdetare të Atikës.
Ministrat grekë kanë deklaruar se do të paraqesin në ditët e ardhshme një plan për një ristrukturim rrënjësor të sektorit të Mbrojtjes Civile, nën kujdesin e Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, e kanë theksuar se më në fund Greqia do të ketë në dispozicion hartën e zonave pyjore që do të tregojnë edhe ndërtimet pa leje.
“Nuk duhet kurrë të përsëritet – thanë ata, – rasti i vdekjes nga zjarri i 27 personave që u dogjën javën e kaluar të bllokuar në një kopsht të rrethuar shtëpie të paligjshme, i cili prej vitesh ishte i deklaruar si zonë pyjore në përkatësi të shtetit”.
Vetëm zona e Matit, që u shkatërrua nga zjarret vrastare të javës së kaluar, ka qindra shtëpi të paligjshme prej vitit 1977, të ndërtuara në zonë pyjore, ndërsa në shumë raste është shkelur ligji që ndalon rrethimin me gardhe të kopshteve në largësi deri 500 metra nga deti.
Top Channel