Pas një përplasjeje që rrezikoi të çonte në luftë të hapur tregtare, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se u afruan në tregti dhe dogana, por tani në horizont është shfaqur një front i ri bereje.
BE-ja kërkon nga SHBA-të në mënyrë ultimative, respektimin e marrëveshjeve për mbrojtjen e të dhënave.
Më 1 gusht 2016 hyri në fuqi marrëveshja informale për shkëmbimin e të dhënave personale midis Komisionit Europian dhe qeverisë së atëhershme të SHBA-ve.
Marrëveshja me emrin “Privacy Shield” (Mbrojtja e sferës private) u mundëson 3.500 sipërmarrjeve që marrin pjesë në të, në SHBA dhe në Bashkimin Europian, që të dërgojnë të dhëna, “e-mail”-e dhe fotografi të klientëve të tyre përtej Atlantikut.
Komisioni Europian ankohet se qeveria aktuale amerikane e presidentit Donald Trump nuk e zbaton marrëveshjen dhe rrezikon me këtë mbrojtjen e të dhënave.
Komisionerja e Drejtësisë në BE, Vera Jourova i ka shkruar një letër javën e kaluar ministrit amerikan të Tregtisë, Wilbur Ross, duke i dhënë atij afat deri në fund të tetorit. Vet Ross, para disa muajsh e kritikoi si të tepruar mbrojtjen e të dhënave në Europë.
Marrëveshja “Privacy Shield” u mundëson sipërmarrjeve si Facebook ose Google qasje në të dhënat dhe në të gjitha përmbajtjet e përdoruesve të tyre në Europë. Atyre u dëshmohet, pa i kontrolluar më tej, se përcaktimet e tyre për mbrojtjen e të dhënave janë në përputhje me kërkesa europiane.
Nga ana e saj, qeveria amerikane ka pranuar detyrimin që të ketë qasje në të dhënat e Facebookut, etj., vetëm në 6 raste të formuluara disi turbull, për t’i analizuar këto të dhëna nga shërbimet sekrete.
Top Channel