Nga United te Barça? Pogba, takim sekret me Abidalin në SHBA

01/08/2018 13:45

Paul Pogba dëshiron të largohet nga Manchester United dhe destinacioni i tij duket se është Barcelona.

Kështu theksohet të paktën tek e përditshmja italiane “Tuttosport”, sipas së cilës, mesfushori francez i “djajve të kuq” ka zhvilluar në Los Angeles një takim sekret me sekretarin teknik të Barcelonës, Eric Abidal.

Gjithnjë sipas “Tuttosport”, në këtë takim Abidal u përpoq që të bindte futbollistin e përfaqësueses franceze për të pranuar kalimin te kampionët e Spanjës. Por, vështirësitë për realizimin e një operacioni të tillë janë të shumta.

Pogba ka një kontratë me Manchester United deri në vitin 2021, e për më tepër ai është pjesë e një prej klubeve më të pasur në botë. Në të njëjtën kohë, Pogba bëri një paraqitje të shkëlqyer në Botërorin e Rusisë, që do të thotë edhe një rritje e vlerës së tij në merkato, nëse Manchester United do të vendosë ta shesë futbollistin.

Nuk dihet deri ku do të shkojë Abidal në tentativën e tij për të sjellë Pogbanë në “Camp Nou”. Për momentin po flitet vetëm për këtë takim mes tij dhe futbollistit në Los Angeles, ku Pogba ndodhet me pushime.

Top Channel