Letra higjienike në ankand, çfarë ofron Ambasada e SHBA në Londër

01/08/2018 14:33

Ambasada amerikane në Londër po nxjerr në ankand “online” të gjithë tepricat e saj, përfshirë 2.000 rulo letre higjienike.

Ky është një nga 8 ankandet që Departamenti amerikan i Shtetit ka “online”, por është i vetmi që ofron lote duke variuar nga letra higjienike, fshesa të prishura korrenti, e madje edhe një makinë.

Mëngjesin e së mërkurës, plot 29 persona kishin paraqitur interesin për lotin 1; dy kuti të mëdha të mbushura me 1.200 rulo letre higjienike; me ofertën më të lartë prej 252 paundësh ose 283 eurosh. Loti i dytë, që përmban më shumë se 750 rulo letre higjienike, ka mbledhur më shumë se 11 oferta.

Ambasada po përpiqet të shesë edhe 5 fshesa me korrent “Dyson”, të gjitha me ndonjë defekt.

Ndërsa loti i katërt ishte subjekt i një lufte ofertash më intensive. Bëhet fjalë për një Volvo S80 në ngjyrë të zezë, për të cilën janë paraqitur 33 oferta, më e larta prej 6.419 paundësh ose 7.200 eurosh.

Ankandi mbyllet më 8 gusht, me gjithsej 41 lote. Ambasada amerikane mban rregullisht ankande të tilla për të hequr qafe sendet që nuk i nevojiten. Ai në Londër vjen pasi Ambasada u zhvendos nga zona qendrore në Mayfair, në ndërtesën e re në Battersea.

Ish-godina iu shit një grupi nga Katari në vitin 2009, për një shifër të papublikuar. Në prill, presidenti amerikan Donald Trump tha se, besonte se vendi ishte shitur për 250 milionë dollarë, duke shtuar se duhej të kontrollonte shifrat. Më pas, ai kritikoi Ambasadën e re, që ka kushtuar rreth një miliard dollarë vetëm për t’u ndërtuar, por edhe për vendin jo preferencial në të cilin është ndërtuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA