Kukësi numëron orët deri në mbrëmjen e së mërkurës kur do të vendosë nëse do të mbijetojë në elitën e futbollit kontinental apo do të spostohet në Europa Ligue këtë sezon.
Formacioni i vetëm shqiptar i mbetur në garë në kompeticionet europiane, do ta nisë gjithçka nga barazimi pa gola në Shkodër. Në kampin e shqiptarëve ka optimizëm.
“Në të gjitha këto ndeshje që kemi luajtur deri tani kemi dhënë maksimumin dhe kështu do të vazhdojë edhe nesër. Unë mendoj se do ta arrijmë qëllimin, i cili është kualifikimi. E pamë edhe në ndeshjen e parë që nuk kemi ndonjë diferencë të madhe me kundërshtarin. Ata kanë një ekip shumë të mirë dhe lojtarë cilësorë, por edhe ne kemi vlerat tona dhe besoj se kemi shumë mundësi që të kualifikohemi”, tha lojtari i Kukësit, Simon Rrumbullaku.
Ndërkohë te kampionët e Azerbajxhanit do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë, për të zhvlerësuar ndalesën e papritur që vuajtën ndaj Kukësit në transfertë.
“Është një ndeshje e rëndësishme ku do të ndikojë çdo goditje dhe çdo rast i humbur para portës. Do ta marrim me qetësi edhe nëse nuk shënojmë që në fillim. Në ndeshje të tilla ka pak gola. Të gjithë futbollistët janë gati dhe shpresojmë që do të fitojmë ne”, u shpreh Gurban Gurbanov.
Ndeshja mes Kukësit dhe Qarabag do të zhvillohet në Baku të mërkurën në orën 19:00. Skuadra e kualifikuar mbijeton në Champions, ndërsa ekipi që mundet do të spostohet në “Play Off” të Europa League.
Top Channel