Itali, disfata e parë në Parlament e qeverisë euroskeptike. Bie kandidatura për kreun e Rait

01/08/2018 10:54
Marcello Foa

Ligjvënësit italianë kanë refuzuar këtë të mërkurë emërimin e një gazetari euroskeptik në postin e kreut të rrjetit televiziv kombëtar Rai, në atë që konsiderohet si goditja e parë ndaj qeverisë së re antiestablishment në fqinjin e përtej Adriatikut.

Deputetët e opozitës hodhën poshtë emërimin e Marcello Foas, pasi ekzekutivi kishte përzgjedhur pikërisht atë gjatë javës së kaluar si kandidat, në një lëvizje që mund të kontribuojë gjithashtu në zbutjen e shqetësimeve mbi qëllimet e Italisë për ruajtjen e euros.

Normat e obligacioneve italiane kapën majat më 27 korrik, pasi themeluesi dhe bashkëdrejtuesi i Lëvizjes 5 yjet, Beppe Grillo hodhi idenë e një referendumi mbi euron, të njëjtën ditë kur qeveria shpalli si kandidat euroskeptikun Foa, i cili ka kontestuar pakthyeshmërinë e monedhës së përbashkët europiane.

Kanalet televizive të Rait janë ndër më popullorët mes italianëve.

Abstenimi i ligjvënësve të “Forza Italia”-s, të drejtuar nga ish-kryeministri Silvio Berlusconi, ndihmoi gjithashtu në bllokimin e emërimit të Foas, edhe pse kjo parti është aleate e ekstremistëve të djathtë të Lega Nord në disa rajone të Italisë.

Kjo është hera e parë që qeveria e re, e cila mori pushtetin në muajin qershor, është mposhtur në Parlamentin italian, aty ku ka një shumicë të rehatshme. Foa mori shumicën e votave në Komisionin e Mbikëqyrjes së Rrjeteve Publike, por nuk siguroi mjaftueshëm mbështetje për të marrë 2/3-at e votave të nevojshme për t’u konfirmuar.

Foa është kritikuar ashpër për pozicionet e tij proruse dhe euroskeptike. Në këtë moment mbetet e paqartë nëse qeveria do të këmbëngulë për kandidaturën e tij, apo do të tërhiqet për të mbështetur një tjetër kandidat.

Një tjetër pretendent i lakuar nga qeveria, menaxheri me eksperiencë Fabrizio Salini, për postin e fuqishëm të kryeshefit ekzekutiv të Rait nuk është një figurë kontroverse për palët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA