Reali i Madridit, kampioni në fuqi i Europës i drejtuar nga Julen Lopetegui dhe pa Cristiano Ronaldon, bie përballë Manchester United të drejtuar nga Jose Mourinho, në turneun veror “ICC” që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.
“Los Blancos” humbën 2-1 përballë “djajve të kuq”, me këta të fundit që shijojnë fitoren pas dy humbjeve radhazi me Dortmundin e Liverpoolin. Në stadiumin “Hard Rock” të Miamit, vetëm Bale dhe Benzema ishin mes titullarëve madrilenë, me francezin që shkurtoi disavantazhin prej dy golash përballë United, për të cilin shënuan më herët Sanchez dhe Herrera.
Lopetegui ka kështu një detyrë të vështirë në drejtimin e “mbretërorëve” të Spanjës, pas braktisjes së Spanjës dy ditë nga fillimi i Botërorit, por tashmë pa një prej yjeve më të rëndësishëm si portugezi Ronaldo.
Një tjetër ndeshje e zhvilluar në mesnatë ishte ajo mes Tottenhamit dhe Milanit, në “US Bank” të Minneapolisit, që përfundoi me fitoren e londinezëve 1-0, me gol të shënuar nga N’Koudou në pjesën e dytë.
Një ndeshje që la shije të hidhur për trajnerin e Milanit, Gattuso, pasi merkatoja i “ndaloi” të aktivizonte qendërmbrojtësin Bonucci, prej ditësh në orbitën e Juventusit, ndërsa shiritin e kapitenit për “djallin” e mori Romagnoli. Ky takim nxori në pah gjithashtu nevojën për një qendërsulmues që ka Milani, që ende nuk ka mbyllur gjithçka për huazimin me të drejtë blerjeje të Higuainit nga Juve.
Ndeshja e fundit ishte ajo mes Barcelonës dhe Romës, në “AT&T Stadium” të Arlingtonit, që përfundoi me fitoren 4-2 të italianëve të Di Francescos, duke u konfirmuar si “rival i denjë” i katalanasve, pas eliminimit në Champions League të sezonit të kaluar.
Pjesa e parë e ndeshjes pa “blaugranat” të kalonin në avantazh, me anë të Rafinhas, por El Shaarawy barazoi shifrat për romanët. Në pjesën e dytë, Barça kaloi sërish në avantazh me anë të brazilianit Malcom, por Roma përmbysi shifrat me 3 gola brenda 8 minutash, të shënuar nga Florenzi, Cristante dhe Perotti.
Top Channel