Është dhënë sot masa e “arrestit me burg” për shtetasin Vilson Brahja, i cili dyshohet si autori i vendosjes së tritolit në një banesë në Bathore.

Ngjarja ndodhi katër ditë më parë në Bathore, në banesën e Gazmir Dacit, i cili është i burgosur pasi është dënuar për vrasje në rrethana cilësuese të Valmir Kolaverit dhe plagosjen e të vëllait.

Gjykata vendosi arrest me burg për Vilson Brahjan, për shkatërrim prone me eksploziv për shkak të gjakmarrjes.

***

Vilson Brahjan, 23 vjeç i lindur në Kukës dhe banues në Kamëz, u arrestua për vendosjen e lëndës shpërthyese pak ditë më parë në banesën e të dënuarit për vrasje, Gazmir Daci.

Dyshohet se Brahaj ka vendosur 500 gramë eksploziv kundrejt pagesës në shtëpinë ku jeton familja e Dacit, i cili ndodhet në burg. Pas shpërthimit, autori i dyshuar ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë kryerjes së krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum afër urës.

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar. Gazmir Daci është dënuar me 35 vite burg për vrasje dhe plagosje dhe po vuan dënimin në burgun e Vaqarrit për vrasjen e Valmir Kolaverit në 4 nëntor 2015, ndërsa ka plagosur rëndë vëllanë e tij Robert Kolaveri, i cili mbeti i paralizuar.

Më 31 korrik të vitit 2016 ndaj tij u tentua një atentat nga jashtë burgut me snajper, por autorët gabuan shënjestër.

Top Channel