Të bllokuar nga Tatimet, mbyllja për 30 ditë mund të ankimohet në gjykatë

31/07/2018 16:48

Bllokimi nga Tatimet për të ushtruar për 30 ditë aktivitetin për restorantet, baret, hotelet dhe resortet e vijës bregdetare, që janë kapur duke kryer evazion fiskal, përkon me kulmin e sezonit turistik dhe për mjaft biznese, kjo është një humbje e madhe.

Burime nga Drejtoria e Përgjitshme e Tatimeve njoftojnë se nuk ka kthim prapa, e se bllokimi është bërë pasi subjektet janë kapur për herë të dytë me shkeljen e moslëshimit të kuponit fiskal. Në rast se do të ketë heqje të shiritave dhe rihapje të aktivitetit para afatit të bllokimit, Tatimet do të nisin procedurat për ndjekjen penale. Edhe nëse vërehen rihapje të aktivitetit me licencë të re, por në të njëjtin mjedis, Tatimet do ta konsiderojnë shkelje.

Në fakt, për bizneset ka një hapësirë ku mund të ankimojnë bllokimin, që është Gjykata Administrative, e cila mund të vendosë për pezullimin ose jo të bllokimit, ose gjobës, deri sa çështja të shqyrtohet në themel.

Mbi 5.000 kontrolle kanë ushtruar tatimorët për sezonin turistik këtë vit, ku janë konstatuar 2.000 shkelje nga subjekte private, me një vlerë të llogaritur prej 75.2 milionë lekësh. Në listën e atyre që janë bllokuar figurojnë biznese të njohura në fushën e hotelerisë dhe restoranteve në të gjithë Rivierën bregdetare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA