Presidenti i Konfederatës Europiane të Volejbollit (CEV), Aleksandar Boriçiç mbërriti në Tiranë për të zhvilluar një vizitë të shpejtë në prag të kampionatit europian të volejbollit për femra të grupmoshës U19, që do të mbahet në vendin tonë në datat 1-9 shtator.
Gjatë vizitës së tij të shkurtër, Boriçiç zhvilloi edhe takime me kryeministrin e vendit, Edi Rama, si dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Në radhë të parë dua t’iu uroj për rezultatet e shkëlqyera që keni arritur në dy vitet e fundit. Ekipet kombëtare shqiptare kanë bërë paraqitje shumë të mira, që kulmuan me fitoren e medaljeve nga skuadra e femrave në Ligën Europiane. Dimë vështirësitë e FSHV-së dhe ky fakt u jep më shumë kuptim rezultateve të skuadrave shqiptare. Prioritetet e një Federate janë shtimi i aktiviteteve dhe rritja e cilësisë së volejbollit. Europiani U19 është konfirmimi i një pune të madhe të bërë nga drejtuesit e Federatës së Volejbollit në Shqipëri”, tha Alexandar Boriçiç, president i Konfederatës Europiane të Volejbollit.
Ndërsa presidenti i FSHV-së, Erlind Pëllumbi deklaroi se do të vijojë puna për përmirësimin e mëtejshëm të volejbollit.
“Ajo që presidenti i CEV-së theksoi është pikërisht ajo që neve na bën më të fortë për të vazhduar këtë rrugë që kemi nisur. Ashtu siç arritëm të marrim medalje me skuadrën e femrave, ne do të vazhdojmë të punojmë për të ngritur volejbollin në nivele më prestigjioze”, tha Erlind Pëllumbi, president i Federatës shqiptare të Volejbollit.
Top Channel