Deputetët e Kuvendit të Kosovës debatuan mbi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Partitë opozitare kanë dalë me tre versione të tekstit të rezolutës që pretendojnë ta miratojnë në kuvend.

Ato janë të ndryshme, por emërues të përbashkët kanë kundërshtinë ndaj udhëheqjes së dialogut nga presidenti Hashim Thaçi. Kryeministri Haradinaj, kërkoi që deputetët të bashkohen në ekipin gjithëpërfshirës për hartimin e një platforme të përbashkët për përfaqësimin e Kosovës në dialog.

“Dua t’iu them merrni në dorë procesin e ardhshëm të dialogut si Parlament”, tha Haradinaj.

Partia Socialdemokrate, nismëtare e këtij debati, kërkon që Kuvendi të marrë rolin udhëheqës në bisedime me Serbinë.

LDK kërkon që fillimisht të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të garantonin legjitimitet të plotë përfaqësues. Lëvizja vetëvendosje në anën tjetër kërkon ndërprerjen e formatit aktual pasi sipas saj, në dialog po negociohen çështjet e brendshme të Kosovës.

Jashtë sallës së parlamentit, ndërsa bënte homazhe në varrin e veprimtarit Adem Demaçi, presidenti Thaçi nuk e ka përjashtuar ndërkohë mundësinë që me Serbinë të diskutohet edhe për shkëmbim territoresh.

Mediat kosovare kanë raportuar se Leposavici mund të shkëmbehet me Preshevën dhe një pjesë të Bujanocit, por Thaçi këmbëngul se qëllimi final është njohja formale mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëllimi jonë është njohja formale të ndodh mes Kosovës dhe Serbisë në fund të procesit që Kosova të anëtarësohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke përfshi edhe organizatën e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Thaçi.

Dhe Thaci ka shkuar akoma më tej kur ka shprehur bindjen se në fund të dialogut do të ketë njohje reciproke.

“Ky është kompromisi që Kosova e bën”, u shpreh Hashim Thaçi.

Top Channel