KPK: Prokurori Bensik Muçi, probleme me pasurinë dhe aftësitë profesionale

30/07/2018 15:06

Ka dalë sot para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, edhe prokurori i Prokurorisë së krimeve të Rënda, Besnik Muçi.

Ky i fundit është edhe kandidat për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe i është nënshtruar vettingut me përparësi, duke u vlerësuar për të tre komponentët.

ILDKPKI ka konstatuar se Besnik Muçi ka qenë i saktë në deklaratat e pasurisë, duke mos u gjetur në konflikt interesi.

Por KPK-ja ka kryer një hetim të thelluar dhe ka gjetur se në emër të prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda rezultojnë pronat si më poshtë:

– 336 metra katrorë tokë truall në Çërravë të Pogradecit
– 2000 metra katrorë tokë po në Çërravë, të përfituar me ligjin 7501
– Shtëpi banimi 78 metra katrorë në Tiranë, në Rrugën e Elbasanit
– Shtëpi banimi në lagjen “Ali Demi”
– 300 metra katrorë tokë bujqësore në Shkozë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar se ka kontradikta në lidhje me një shtesë në shtëpinë e banimit në Tiranë, për kohën kur është kryer kjo ndërhyrje.

Gjithashtu është konstatuar se është përfituar në kundërshtim me ligjin një pronë në Çërravë dhe është deklaruar gabimisht ndër vite.

KPK-ja konstatoi se Besnik Muçi nuk ka deklaruar një kontratë blerjeje trualli, të firmosur nga bashkëshortja dhe nuk ka paguar tatimet për një kontratë qiraje të deklaruar nga ai.

Komisioni i Vettingut ka nxjerrë në pah edhe probleme që lidhen me aftësitë profesionale të prokurorit Besnik Muçi.

Kështu është konstatuar se në vitin 2014, ky prokuror ka vendosur mos-fillim të hetimit pasuror për shtetasin K.N., i cili është hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për trafik droge.

Muçi ka pushuar në vitin 2016 edhe një procedim penal për gjobë-vënie, të regjistruar sipas informacioneve të Policisë së Shtetit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA