Banorët e Himarës dhe fshatrave përreth nuk do të kenë më nevojë të shkojnë në Vlorë apo Sarandë për të marrë shërbime që lidhen me pronat e tyre.

Që nga dita e sotme Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka hapur në Bashkisë së Himarës një degë të saj, me sportele të dedikuara, ku qytetarët mund të aplikojnë për shërbime hipotekore që lidhen me zyrat rajonale të Sarandës dhe Vlorës.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, njëkohësisht drejtues politik i PS për qarkun Vlorë kanë kryer një inspektim në degën e re të ZRPP në Himarë.

Të dy ministrat janë njohur nga afër me mënyrën se si do të funksionojnë këto sportele si dhe volumin e punës që ajo pritet të ketë, nisur nga aplikimet e deritanishme të bëra në degët e Vlorës dhe Sarandës. Bashkia Himarë përbëhet nga 24 Zona Kadastrale nga të cilat 15 i përkasin ZVRPP Vlorë dhe pjesa tjetër, pra 9 zona i përkasin ZVRPP Sarandë.

Në një prononcim për mediat, pas inspektimit, ministrja e Drejtësisë ka thënë: “Hapja e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Bashkinë e Himarës është një risi dhe i përgjigjet prioritetit që Qeveria ka për përmirësimin e shërbimeve. Nëpërmjet kësaj zyre do të mundohemi që t’i ofrojmë shërbime qytetarëve për të gjitha kërkesat e tyre lidhur me aplikimet ne Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që deri dje merrnin rrugën dhe shkonin në Vlorë edhe në Sarandë. Nëpërmjet kësaj zyre ne vendosim modelin e parë se si do t’ju ofrohet shërbim qytetarëve edhe atje ku ne nuk kemi zyra Rajonale, duke ju dhënë akses të gjithë qytetarëve në të gjitha bashkitë”.

Nga ana e tij Ministri Gjiknuri është shprehur: “Realisht ka qenë një premtim i qeverisë, një premtim i mbajtur. Nuk është i vetmi pasi qytetarët e Himarës e dinë se shumë shpejt do të hapet edhe zyra e shërbimit të transportit rrugor. Tashmë është përzgjedhur personeli dhe për pak ditë do të bëhet gati edhe zyra, pra pjesa logjistike dhe ky shërbim do të ofrohet në Bashkinë e Himarës. Me vendimin e fundit të marrë nga qeveria shqiptare në lidhje me problematikat e trashëguara të shtëpive të vjetra në Himarë, ky problem do të marrë zgjidhje. Pra, qytetarët himariotë të cilët për shkak të mangësive të dokumentacionit të trashëguara edhe para viteve 90 nuk kanë pasur dokumentacion, shumë shpejt do të pajisen me certifikatat e shtëpive të tyre”.

Ministrja Gjonaj ka dhënë edhe një tjetër lajm për banorët e fshatit Dhërmi, për të cilët ZRPP ka mundësuar regjistrimin fillestar të pronave të këtij fshati.

“Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme ka mundësuar regjistrimin fillestar të pronave të fshatit Dhërmi, që janë 815 pasuri, për të cilat banorët që nga 15 gushti do të mundet të marrin certifikatat e pronësisë. ZRPP e ka nisur këtë si një projekt pilot, për ta shtrirë më pas regjistrimin fillestar në të gjitha zonat që i përkasin bashkisë së Himarës. Kjo zyrë ka një vlerë të shtuar për shkak të këtyre shërbimeve të shtuara që do t’u ofrojë banorëve të zonës, me qëllim që t’u japim zgjidhje njëherë e mirë të gjitha problematikave të paraqitura deri tani lidhur me titujt e pronësisë”, ka thënë Ministrja e Drejtësisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA