Higuain jashtë planeve të Juves, Milani e pret me “krahët hapur”

30/07/2018 20:43

Tashmë është thuajse zyrtare që Higuain nuk do ta vazhdojë më karrierën të Juventusi.

Pasditen e sotme, vëllai i futbollistit, i cili njëkohësisht është edhe menaxher i tij, ka diskutuar me drejtuesit e Juventusit, nga ku ka mësuar se El Pepita nuk bën më pjesë në planet teknike të trajnerit Allegri për sezonin e ardhshëm dhe se duhet të kujdeset për të gjetur një tjetër skuadër.

Gjithashtu, torinezët i kanë dhënë edhe miratimin për një kalim të mundshëm te Milani, duke qenë se palët kanë kryer edhe bisedime paraprake. Tashmë mbetet që Nicolas, vëllai i Gonzalo Higuain, të takojë Leonardon, ndoshta që mbrëmjen e sotme në Milano dhe të diskutojnë detajet e transferimit.

Paraprakisht mesë Milanit dhe Juventusit ka një marrëveshje për huazim të thjeshtë kundrejt 20 milionë eurove dhe të drejtë blerjeje për 35 të tjerë në fund të verës së ardhshme.

Tani mbetet që Higuain dhe Milani të gjejnë gjuhën e përbashkët për kontratën mes tyre, pasi duhet theksuar se kuqezinjtë nuk kanë ndërmend t’i garantojnë argjentinasit të njëjtën pagë që përfiton te Juventusi.

Top Channel