Aksioni tatimor në zonat turistike nuk i kanë shpëtuar as resortet më të mëdha të vendit. Pas mbylljes së disa prej hoteleve më të njohura në të gjithë vijën bregdetare, këtë fundjave inspektorët tatimorë kanë bllokuar aktivitetin edhe të resortit Adriatik 2 në Golem.
Edhe për këtë subjekt, shkelja e konstatuar ka qenë ajo e mos-lëshimit të kuponit tatimor, për të cilën tatimet kanë marrë masën e mbylljes së aktivitetit për 30 ditë.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Drejtoria e Tatimeve, deri më tani janë kontrolluar në terren mbi 5 mijë subjekte, që operojnë në fushën e turizmit. Nga këto janë gjetur me shkelje tatimore gati 40 për qind e tyre, ose 2 mijë biznese, për të cilat janë marrë masat ndëshkuese që parashikohen në ligj.
Shkelja më e hasur është ajo e mos-lëshimit të kuponëve për të fshehur xhiron reale. Por gjatë kontrolleve janë konstatuar shumë subjekte, përfshirë dhe hotele, që punojnë tërësisht në të zezë, duke mos qenë të regjistruara fare në QKR apo organet tatimore.
Vitin e kaluar qeveria uli me mbi tre herë tatimin mbi vlerën e shtuar për turizmin, duke e bërë 6 për qind. Nga kjo masë përfituan mbi 4 mijë hotele në shkallë vendi. Por ndonëse taksa u ul me tre herë, jo të gjitha hotelet kanë reaguar pozitivisht për të deklaruar xhiron e plotë reale në shtet.
Sipas analizave kompjuterike të riskut në Drejtorinë e Tatimeve, turizmi rezulton një nga aktivitetet me informalitetin më të lartë në vend, ku gjysma e hoteleve dhe restoranteve mendohet se fshehin pjesërisht ose tërësisht taksat që duhet të derdhin në shtet.
Ndaj këtë sezon, administrata tatimore ka nisur një aksion të gjerë kontrolli mbi këto biznese, i cili deri më tani nuk ka kursyer as disa nga resortet më të mëdha turistike në vend, si Havana dhe Piratët në Dhërmi, apo Tropikali, 4 stinët, Aragosta dhe Adriatik 2 në Durrës.
Top Channel