Gjatë sezonit të verës të gjithë artistët japin energjitë maksimale, duke luftuar për atë që do të quhet hiti i verës 2018. Kjo verë ka patur një numër të madh prurjesh të reja pasi artistët nuk kanë publikuar vetëm një projekt muzikor, por disa të tillë.

Ndryshe nga vera e kaluar, ajo që është vënë re këtë sezon veror është suksesi i artistëve të rinj, të cilët kanë rrëmbyer menjëherë vëmendjen e publikut, këngët e të cilëve janë renditur mjaft mirë në klasifikimin e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Një sukses të jashtëzakonshëm deri më tani ka korrur projekti muzikor më i ri i Unikkatil, i cili u rikthye më fuqishëm se kurrë. Një ndër reperat më të preferuar shqiptar, goditi në shenjë më këngën e tij, “Ni Milion Rrugë”, e cila për 6 javë ka mundur të mbajë kreun e listës zyrtare të “Top Awards”. Ky projekt muzikor ka 14 javë që është në “The Top List” dhe vazhdon të mbetet në katërshen e këngëve më të votuara.

“Columbiana” është një tjetër këngë që është dëgjuar dhe votuar pafund deri më tani. E publikuar në muajin qershor, kjo këngë është një bashkëpunim mes Tayna dhe Don Phenom. Tayna është reperja më e re në tregun muzikor shqiptar, e cila ka tërhequr menjëherë vëmendjen e publikut shqiptar, duke dhënë koncerte të shumta edhe pse ka publikuar vetëm 2 këngë në total. Prej katër javësh, kjo këngë mban kreun e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Pas suksesit të bashkëpunimit të parë muzikor, Ledri Vula dhe Buta publikuan një tjetër projekt muzikor, e cila vazhdon të jetë një ndër këngët më të dëgjuara deri më tani. “Merri Merri” titullohet ky projekt muzikor, i cili për dy javë rresht ka qëndruar në vendin e parë në “The Top List”. Nga ana tjetër, një tjetër bashkëpunim i Ledrit ka rrëmbyer zemrat e publikut shqiptar. Ai dhe Lyrical Son kanë publikuar rreth një muaj më parë, “Princess Diana”, një këngë që vazhdon të jetë pjesë e 5 këngëve më të dëgjuara dhe votuara në “The Top List”.

Don Phenom është shndërruar në një prej reperave më të dëgjuar të momentit. Përveç “Columbiana”, artisti është votuar pafund nga ana e fansave për projektin e tij “Jena Lit” dhe bashkëpunimin me Cartanin, “Smoking Cubana”. Këto dy projekte muzikor vazhdojnë ende të votohen nga fansat edhe pse kanë disa muaj që kanë dalë në treg.

Ghetto Geasy dhe Flori Mumajesi bashkuan fuqitë dhe sollën “Dashni me raki”, një këngë nuk kishte dyshim që do të pëlqehej pafund nga publiku. E publikuar rreth 8 javë më parë, ky projekt muzikor është renditur në disa pozicione të rëndësishme në klasifikimin e “The Top List” dhe ende vazhdon të dëgjohet dhe votohet nga fansat, duke treguar kështu që kjo këngë mund të konsiderohet një ndër hitet e kësaj vere.

Kësaj vere sigurisht që nuk mund t’i mungonte një hit nga Alban Skënderaj. Ndërkohë që ka publikuar disa këngë, publiku ka votuar pafund bashkëpunimin e tij me Mc Kresha, “Ping Pong”. Kjo këngë ka arritur të renditur në treshen e këngëve më të nxehta të klasifikimit zyrtar të “Top Awards”, duke iu afruar shumë kreut. Edhe pse kanë kaluar 11 javë që nga publikimi i saj, “Ping Pong” vazhdon të ketë ende vëmendjen e publikut.

Një bashkëpunim interesant i kësaj vere është edhe “Cika Cika” e Ardian Bujupit dhe Xhensila. Dyshja e talentuar bashkoi fuqitë, duke sjellë një këngë mjaft ritmike, e cila luhet pafund nëpër makina dhe klubet e natës. E renditur në disa pozicione të rëndësishme, kjo këngë madje ka arritur të renditet në vendin e dytë, shumë pranë kreut të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

“Mike” është një tjetër projekt muzikor që po pëlqehet shumë nga publiku shqiptar. Një bashkëpunim mes Elvana Gjatës, Ledri Vulës dhe John Shahut, kjo këngë ka rrëmbyer menjëherë zemrat e publikut shqiptar, edhe pse ka rreth 3 javë që ka dalë në treg. Per dy javë rresht, “Mike” mban vendin e dytë të listë, duke lënë kështu të nënkuptohet se kjo këngë mund të shndërrohet në hitin e kësaj vere.

Por ju mund të votoni për të përzgjedhur hitin e kësaj vere deri më tani në sondazhin e mëposhtëm ose duke klikuar tek linku: http://topawards.top-channel.tv/index.php/summer-hit/

 

Top Channel