Karriera e gjyqtarit të lartë Artan Broci, pasuritë dhe aftësitë profesionale u skanuan në seancën publike të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. KPK-ja tha se figura e gjyqtarit Broci është e përshtatshme e më pas nisi diskutimi i pasurive.
KPK-ja tha se gjyqtari i lartë ka probleme me pasuritë për mënyrën si është investuar për ndërtimin e një shtese të apartamentit në Tiranë. Por, sipas Brocit, shtesa është kryer në të gjithë objektin nga të gjithë banorët. Më tej, KPK-ja hodhi dyshime për mënyrën si është blerë e shitur një apartament në Rrashbull, të cilin Artan Broci insiston se e ka shitur prej shumë kohësh dhe më pas shumën e ka investuar.
KPK-ja evidentoi si gjetje edhe dhënien me qira të një ambienti pranë Shallvareve, të ardhura këto të padeklaruara. Komponenti i aftësive profesionale dhe i përshtatshmërisë u konsideruan të rregullta nga KPK, ndërkohë që për pasuritë gjyqtari i lartë tha se ka dorëzuar 250 prova që rrëzojnë konstatimet e hetimit administrativ.
Duke kujtuar kontributin e tij në drejtësi, gjyqtari i lartë Artan Broci tha se nëse vërtetohen këto gjetje të KPK-së, atëherë ai është i gatshëm të japë dorëheqjen. Në mbyllje të procesit ai u shfaq besimplotë: “Kam besim. Unë jam jurist, flas me prova dhe shpresoj që KPK-ja nuk do të japë një vendim të ndikuar”.
Top Channel