Tre doganierë të doganës së Kapshticës janë vënë në pranga për shpërdorim detyre dhe tre të tjera për kontrabandë mallrash.
Policia e Korçës bën të ditur se janë arrestuar Floben Guxho, 46 vjeç, nga Tirana, Klodian Nastimi, 34 vjeç, nga Bilishti dhe Renato Molla, 33 vjeçnga Pogradeci, të tre me detyrë doganier në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë. Gjithashtu të arrestuar janë Kristi Meslani, Rezart Shega dhe Mario Berberi, të tre nga Bilishti.
Arrestimi i tyre u bë pasi, në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Dishnicë, nga shërbimet e Policisë, janë kapur në flagrancë Kristi Meslani dhe Rezart Shega të cilët drejtonin mjetet me targa AA 170 UF dhe AA 226 GH, duke transportuar një sasi të konsiderueshme me pije energjike dhe pije të tjera, të dyshuara si kontrabandë të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndërsa Mario Berberi, dyshohet të jetë porositësi i këtij malli. Nga verifikimet e kryera, rezulton se këto mjete kanë kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, ku dyshohet se nuk i janë nënshtruar procesit përkatës të kontrollit doganor. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Top Channel