Tingujt e muzikës jazz do të pushtojnë fillimisht Tiranën këtë verë e më pas edhe rrethet e tjera, në edicionin e shtatë të Festivalit të Jazz-it, i cili do të nisë të mërkurën e 24 korrikut.

Genti Rrushi, drejtor artistik i “Jazz Festival”, u shpreh: “Ky është festivali që ka shtrirjen më të madhe gjeografike të artistëve, të prurjeve dhe sasinë e grupeve. Këtë vit është edhe kohëzgjatja më e madhe 24-28, e kshtu që besoj që është organizimi më i madh për këtë lloj muzikë”.

Për herë të parë ky festival do të sjellë në një mbrëmje të veçantë të shtunën, edhe një projekt të ri dedikuar muzikantëve të rinj, të lindur nga Festivali i Nishit në Serbi, ai i Sarajevës dhe Festivali i Tiranës.

Besim Petrela, organizatori i “Jazz Festival”, tha: “Quhet Sa’Ni’Ti: Sarajeva-Nish-Tirana. Është një projekt që mbështet dialogun dhe zhvillimin ndërkulturor midis të rinjve me ndryshime etnike, religjioze etj., duke shfrytëzuar muzikën jazz, e cila i bashkon”.

Muzikantë nga Izraeli, Greqia, Austria, Spanja, Belgjika e Italia, së bashku me tre artistë shqiptarë do të sjellin këtë verë tingujt jazz në festivalin që do të mbahet nga data 24-28 korrik.

Top Channel