Lewis Hamilton dhe Mercedes fituan garën e Çmimit të Madh të Gjermanisë në Formula 1, zhvilluar në pistën e Hockenheim, duke bërë një paraqitje fantastike.
Piloti britanik e nisi garën nga vendi i 14-të, por ia doli që ta mbyllë i pari garën në një prej momenteve më të “nxehtë” të kampionatit ku gara me rivalin Vettel sa vjen e bëhet më e fortë.
Por përtej aftësive të tij dhe strategjisë së ndjekur nga ekipi i tij, pilotët e Mercedes u ndihmuan nga ato pak pika shiu që ranë gjatë garës.
25 xhiro nga fundit nis shiu edhe pse pjesërisht në pistë, duke bërë që disa nga pilotët të përdorin gomat e ndërmjetme ose gomat e shiut. Kjo e bën mjaft interesante fundin e garës, pasi pilotët e parë janë në harkun kohor të 20 sekondave, me Hamilton që ka gomat “ultrasoft”, ndërsa pilotët para tij gomat “soft”.
Pista e lagur në disa vende bën që pilotët shpesh të gabojnë në pistë, si Raikkonen, që humbet vendin e dytë, ndërkohë që në krye qëndron Vettel. Por ky i fundit nuk arriti të mbante nën kontroll makinën e tij duke dalë nga pista në një prej kthesave.
Në podium u ngjitën edhe Valtteri Bottas me makinën Mercedes dhe Kimi Raikkonen me Ferrari. Për Hamilton ky është suksesi i katërt në garën e Gjermanisë, duke parakaluar në renditjen e përgjithshme Vettel me 17 pikë.
Top Channel