Kisha e Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë , një prej monumenteve më të rrallë të kultit dhe artit të mesjetës që prej dekadash rrezikonte shembjen dhe humbjen e afreskëve ka filluar restaurimin. Por eksperte dhe banore kundërshtojnë teknikat qe po përdoren në restaurim. Ky debat është prezent për disa objekte të rëndësishme të trashëgimisë kombëtare në jug të vendit si Kisha e Labovës së Kryqit, Kisha e Shën Kollit në Mesopotam apo restaurimet në zonën historike të Gjirokastrës.
Projekti i mbështetur nga Ministria e Kulturës me vlerë rreth 19 milionë lekë për restaurimin e Kishës se Apostujve në Hoshtevë të Zagorisë është duke u zbatuar nga kompania ‘Manes shpk’, që thotë se do të kryejë punimet brenda këtij viti.
Projekti është duke hasur kontestimet e banorëve ekspertëve por dhe habinë e vizitorëve përsa i përket teknikës së përzgjedhur për ndërhyrje. I gjithë hajati i kishës është çmontuar dhe ka filluar puna për ringritjen e tij. Teknika që duket se do të zbatohet edhe me murin e pasëm të kishës sipas kryeplakut të fshatit Paskal Nasi është një punë e pakujdesshme në këtë monument.
“Është një nga punët më skandaloze, më kriminale. Në pamje të parë shitet si një restaurim, por në fakt është ‘pushkatim’. Nuk ka mendje të shëndoshë që ta mendojë se kur t’i prish një pjesë të momentit duke e ribërë ke ruajtur monumentin”, tha ai.
Julia Bobinger një vizitore nga Gjermania që është rikthyer për të pare monumentin pas një viti thotë se teknika e përdorur i ngjalli habi.
“Unë vij këtu për herë të dytë dhe sigurisht është një lajm i mirë fillimi i punimeve për restaurimin e kishës. Ky objekt më ka impresionuar shumë dhe u habita kur pashë se pjesa ballore po rindërtohet. Do doja të mos kishte fatin e urës së Hoshtevës që fatkeqësisht nuk e pashë më aty kur kalova”, u shpreh Julia Bobinger.
Ndërsa Reshat Gega arkitekt restaurator thotë se teknika është e papranueshme dhe se po dëmton vlerën e këtij objekti.
“Ka shumë mungesa, edhe më elementaret. Ka gurë që janë copëtuar, u copëtuan për shkak të ustallarëve të firmës. Ata thonë se i vendosën ashtu se është në projekt”, tha Reshat Gega, arkitekt restaurator
Por sipas ministres së Kulturës Mirela Kumbaro ky operacion i komplikuar ndërhyrjesh do ta shpëtojë objektin që ka probleme madhore konstruktive.
“Shpesh herë kemi edhe të papritura, reflektohen në projekt dhe zbatohen në punë e sipër”, tha ajo.
Kisha e Apostujve apo e njohur si Kisha e Shën Pjetrit dhe Pavllos është e vetmja që i ka rezistuar kohës mes 24 kishave të zonës më të thellë të Zagories në Gjirokastër.
Top Channel