Folklor në Gjirokastër, Iso-polifonia dhe vallet tërheqin turistët

20/07/2018 16:41

Shtëpia shekullore e Skëndulatëve në Gjirokastër mirëpriti një natë më parë shpalosjen e repertorit më të mirë të Ansamblit Popullor dhe grupit “Argjiro”.

Ndërthurja harmonike e trashëgimisë shpirtërore dhe asaj kulturore u gërshetua bukur me iso–polifoninë gjirokastrite dhe interpretimet e muzikantëve dhe valltarëve të Ansamblit Popullor të disa prej perlave të këngëve dhe valleve të Jugut të Shqipërisë.

Shfaqja ishte fillesa e një trilogjie, pjesë e premierës së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të titulluar “Sokaku i të marrëve” që do të përfshijë tre familje të rëndësishme gjirokastrite që në breza kanë përcjellë iso – polifoninë gjirokastrite të vendosura në shtëpitë muze.

Shfaqja është ndjekur me interes edhe nga turistët e huaj të cilët nuk kanë hezituar të bëhen pjesë e interpretimit të valleve popullore.

– Unë vij nga Franca. Është një vend i mrekullueshëm dhe sot ka qenë një natë fantastike. Më pëlqyen shumë vallet, këngët, gjithçka u interpretua sot këtu. Mendoj se është shumë e rëndësishme që këto tradita të ruhen e të përcillen në brezat e ardhshëm.

– Jemi holandezë dhe nuk kemi njohur asgjë nga tradita shqiptare, gjithcka për ne ishte e re dhe shumë mbresëlënëse.

Premiera e Ansamblit Popullor “Sokaku i të marrëve” do të kulmojë të shtunën me shfaqjen në odeonin e Bashtesë së Teqesë ku qytetarët gjirokastritë, turistët vendas e të huaj, do të mund të jenë pjesë e interpretimit të disa prej krijimeve më të mira në këngë e valle të krahinës së Jugut të Shqipërisë.

Top Channel