Kryeministri australian Malcolm Turnbull i ka bërë thirrje Papa Françeskut që të shkarkojë kryepeshkopin katolik të shpallur fajtor për fshehjen e abuzimeve seksuale me fëmijët.
Kryepeshkopi i Adelaides, Philip Wilson u dënua në maj pasi kishte mbuluar abuzimet nga një prift pedofil, por i ka rezistuar thirrjeve për të dhënë dorëheqjen. Wilson ka thënë se do të apelojë vendimin.
Turnbull tha: “Ka ardhur koha që vetë Papa ta shkarkojë atë”.
Dy javë pasi Wilson u dënua me paraburgim, kryeministri tha se “autoriteti më i lartë i Kishës” duhet të ndërhyjë tani.
“Ka shumë udhëheqës që i kanë bërë thirrje atij [Wilsonit] që të japë dorëheqjen. Ai duhet ta japë dorëheqjen,” u tha ai gazetarëve në Sidnej.
Gjatë gjithë gjykimit të tij, Wilson mohoi të kishte dijeni për abuzimin e djemve nga prifti James Patrick Fletcher, në Uellsin e Ri Jugor, në vitet ‘70. Por një gjykatës tha se Wilson kishte heshtur në përpjekje për të mbrojtur reputacionin e Kishës.
Top Channel