Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se e pranon përfundimin e agjencive të inteligjencës se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane në vitin 2016, edhe pse një ditë më parë foli ndryshe.
Trump theksoi se të hënën u shpreh gabim, pasi donte të thonte se “nuk shihte arsye pse Rusia MOS të ishte e përfshirë”.
“Unë kam shumë besim në agjencitë tona të inteligjencës”, nënvizoi Trump pas kritikave që mori pë deklaratat në konferencën e pêrbashkët për shtyp me homologun rus Vladimir Putin.
Komentet e tij fillestare u pritën me një rrebesh kritikash e madje edhe disa prej aleatëve më të ngushtë të Trumpit i kërkuan që të qartësonte pozicionin e tij. Në deklaratën e fundit, shefi i Shtëpisë së Bardhë, i njohur tashmë për paqendrueshmërinë e vet, shtoi se kishte besim të plotë tek agjencitë e inteligjencës në Shtetet e Bashkuara, të cilave u jep të gjithë mbështetjen.
Republikanë e demokratë bashkë u shqetësuan nga samiti i Helsinkit, ku e panë Presidentin të bëhej palë me Rusinë në kurriz të komunitetit të tij të shërbimeve sekrete. Edhe njëri prej mbështetësve të vet më besnikë në radhët e republikanëve, Newt Gingrich, pohoi se komentet e Trumpit përbënin “gabimin më të rëndë të kësaj presidence”.
Lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer e akuzoi për burracakëri.
Pavarësisht zbrapsjes së Trumpit, dëmi është bërë, theksojnë analistët. Trumpi mund të japë sa deklarata të dojë, por në skenën më të gjerë, ai u rreshtua në krah të homologut rus dhe shpjegimet e mëpasshme nuk e ndryshojnë dot një gjë të tillë.
Top Channel