Ekspedita në Luginën e Drinos. Shqiptarë e italianë studiojnë rrënojat në Paleokastër

18/07/2018 12:33

Rrënojat e kalasë së periudhës romake në Paleokastër, me sipërfaqe rreth një hektar, janë bërë pjesë e misionit arkeologjik shqiptaro-italian që synon leximin e gjetjeve arkeologjike në Luginën e Drinos, çka do të zgjeronte hartën e siteve të vizitueshme në këtë luginë.

Arkeologu Roberto Perna shprehet: “Gërmimet zbuluan këtu strukturën fortifikuese romane dhe më tej një objekt që duket si shkollë e periudhës bizantine. Natyrisht, lexohen qartë edhe kisha paleokristiane e shek. VI. Gjetjet e tjera në objekte më të vogla dëshmojnë për një periudhë intensive të jetës në këtë sit”.

Inxhinierja Romina Nespika thotë se bashkëpunimi i specialistëve që do të ofrojnë ekspertizë shkencore në disa fusha do të krijojë në 3D një model të jetës dhe objekteve në këtë sit, jo vetëm me interes shkencor e akademik, por edhe njerëzor e turistik.

“Skanimi dhe fotografimi i objekteve do të pasohet nga ringritja e profileve të tyre 3 dimensionale, çka do të sjellë një mundësi studimi të detajuar shkencor, por do t’i shërbejë edhe interesit të vizitorëve për këtë hapësirë. Ne do të krijojmë modele studimi për ekspertët e ardhshëm të kësaj fushe që po përgatiten në universtetet shqiptare dhe italiane”, deklaroi Nespika.

Misioni arkeologjik që është i vendosur paralelisht në Paleokastër, Adrianopol dhe Melan ka në përbërjen e tij për gërmimet edhe studentë të arkeologjisë dhe gjeofizikës nga të dy universitetet.

“Unë e gjej këtë përvojë unike për njohuritë e mia. Kam parë shumë elementë që shfaqen gjatë gërmimit që do të më shërbejnë, por nga ana tjetër kam njohur shumë njerëz këtu, shumë vende për të pushuar dhe një natyrë fantastike”, thonë studentët.

Arkeologët shpresojnë që gjatë misioneve që do të vijojnë të krijojnë një kompleks të integruar të disa siteve dhe lidhjeve funksionale mes tyre në Luginën e Drinos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA