2 vite pas “Puçit”; Bilanci i gjendjes së jashtëzakonshme në Turqi

18/07/2018 10:30

Gjendja e jashtëzakonshme në Turqi, zgjati plot dy vjet. Tani ka ardhur koha të hiqet dhe kjo është konfirmuar nga vetë presidenti Recep Tayip Erdogan. Por, cili është bilanci i saj.

Pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti më 15 korrik 2016, qeveria turke deklaroi se përgjegjës janë anëtarë të Lëvizjes Gülen, në radhët e ushtrisë.

Erdogan e quajti organizatë terroriste Lëvizjen Gülen dhe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj, në mënyrë që të luftonte në mënyrë aktive kundër saj. Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme qeveria mori të drejtën të reagonte pa dekrete. Kështu në institucionet shtetërore u vendosën rregulla të reja. Për shkak të shkarkimeve masive nga puna në shërbimet publike dhe arrestimeve të shumta, opozita e quajti gjendjen e jashtëzakonshme “puç civil dhe persekutim kundër kritikëve të qeverisë” dhe kërkoi heqjen e menjëhershme të saj, por pa sukses.

Gjendja e jashtëzakonshme u shty shtatë herë gjithsej. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme u lëshuan 32 dekrete. Sipas të dhënave zyrtare në pyetje u morën 160 mijë vetë dhe më shumë se 70 mijë vetë u arrestuan. Kundër 155 mijë vetëve u zhvilluan hetime për “anëtarësi në organizatë terroriste”. Me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme koha e mbajtjes në arrest u zgjat në 30 ditë. Gjatë dy vjetëve u shkarkuan nga puna në shërbimin publik 121 131 vetë.

Rreth 7 mijë vetë u shkarkuan nga universitetet, 5700 prej tyre nga forcat akademike. Po ashtu u mbyllën shkolla dhe qendra arsimore, që dyshohej se kishin lidhje me lëvizjen Gülen. Me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme u mbyllën 70 gazeta dhe 20 revista si dhe 34 stacione radioje, po ashtu 30 shtëpi botimi dhe 33 stacione televizive. 143 gazetarë ndërkohë janë në burg.

Gjendja e jashtëzakonshme hiqet tani, por Erdogan do vazhdojë të qeverisë me dekrete. Sepse në sistemin e ri presidencial ai ka të drejtën që të rregullojë me dekrete presidenciale disa fusha. Siç është bërë deri tani me dekretet e gjendjes së jashtëzakonshme, edhe dekretet presidenciale kanë të drejtën si një ligj dhe madje me efekt të menjëhershëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA