Ronaldo flet si “bardhezi”: Jam ende i ri, do lë gjurmë në historinë e Juves

16/07/2018 19:15

Ronaldo ka folur për herë të parë si lojtar i Juventusit, duke u shprehur se është ende i ri për të dhënë maksimumin, ndërsa thotë se Juventusi është një ndër klubet më të mëdha në botë dhe kjo ja ka bërë të lehtë zgjedhjen.

“Juventusi është një nga ekipet më të mira në botë. Ishte një vendim që e kam marrë ngadalë. Një vendim i lehtë për madhështinë e klubit, ishte një hap shumë i rëndësishëm për karrierën time. Kemi një trajner të madh. Një president që i atribuohen sukseset. Ishte një vendim i lehtë për të ardhur këtu. Unë jam një person që i pëlqen të mendojë për të tashmen. Unë jam ende shumë i ri dhe gjithmonë i kam pëlqyer sfidat, nga Sporting në Manchester dhe tani në Juventus. Është një sfidë dhe jam shumë i përgatitur. Gjërat do të jenë mirë, unë jam i qetë. Lojtarët e moshës sime zakonisht shkojnë në vende të tjera, me gjithë respektin e duhur. Në këtë pikë të karrierës sime duke luajtur në një klub kaq të madh më bën të lumtur. Faleminderit Juventusin për mundësinë e madhe që më dha mua”, tha Ronaldo.

Më tej, ai falenderon tifozët e Realit, ndërsa thotë se do lërë gjurmë edhe te Juventusi.

“Historia ime në Real ka qenë e shkëlqyer, falënderoj tifozët, por tani dua t’ia kushtoj vetveten kësaj faze të re të jetës sime. Mezi po pres të luaj. Unë jam shumë i motivuar dhe dua t’u tregoj italianëve se jam një lojtar i niveleve të larta. Dua të lë një shenjë në historinë e Juventusit. Jam shumë i lumtur për këtë sfidë. Serie A? Një kampionat i vështirë, shumë taktik. Karriera ime nuk ka pasur asgjë të lehtë dhe jam person që i pëlqen të del nga zona ime e rehatisë. Jam i bindur në veten time, në shokët e mi dhe në klub. Titulli i Ligës së Kampionëve është një trofe që të gjithë dëshirojnë ta fitojnë, por është shumë e vështirë. Juventusi erdhi pranë nesh, por finalja është gjithmonë një ndeshje e panjohur. Për këtë unë shpresoj t’i sjell fat të mirë, por me mendje paqësore. Ne do të luftojmë për të gjitha trofetë”, tha ylli portugez.

Top Channel