Patrullime të përbashkëta italo-shqiptare në zonat turistike bregdetare shqiptare, për t’u ardhur në ndihmë turistëve gjithnjë e në rritje italianë që vizitojnë Shqipërinë.
Ky është pakti i arritur këtë të hënë mes Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme dhe asaj italiane, me qëllimin për t’iu ofruar një ndihmesë më të madhe turistëve italianë, një marrëveshje që parashikon aktivizimin e patrullave dypalëshe nga 16 korriku deri më 31 gusht, në Durrës, Vlorë e Sarandë.
Sipas njoftimit, agjentët e policisë italiane do të kryejnë patrullime në këmbë, të veshur me uniformë dhe do t’u vijnë në ndihmë operatorëve të policisë shqiptare, për të lehtësuar në këtë mënyrë kontaktet e turistëve italianë me autoritetet shqiptare.
Veç autoriteteve shqiptare, kontaktet do të lehtësohen edhe me përfaqësitë diplomatike e konsullore italiane në vendin tonë.
Ambasada e Italisë në Tiranë zotohet që të vendosë në dispozicion të turistëve italianë, që vizitojnë Shqipërinë, të gjithë rrjetin konsullor në kryeqytet dhe në Vlorë, duke iu ofruar atyre mundësinë të konsultojnë informacionet e dobishme për udhëtim. Italianëve do t’u duhet gjithashtu të sinjalizojnë praninë e tyre dhe të dhënat personale një një portal të dedikuar për këtë çështje.
Top Channel