Franca u shpall kampione e botës në futboll pas fitores ndaj Kroacisë, por thuajse të gjithë bashkohen në një mendim se formacioni transalpin nuk ishte ai që dhuroi futbollin më të bukur.

Në fund vlen vetëm trofeu dhe skuadra e trajnerit Deschamps, tani kërkon të hapë një cikël të ri suksesi, që synon ta vazhdojë në Europian dhe në Botërorin e Katarit.

Mentaliteti, qëndrueshmëria, e mbi të gjitha mosha e re e lojtarëve të talentuar mund ta mbajë Francën e këtij brezi në majën e futbollit për shumë vite, njësoj siç ndodhi me Spanjën. Me pak ndryshime taktike, “gjelat” e harruan zhgënjimin në Europianin e shtëpisë, duke u hakmarrë me klas në finalen e Moskës.

Deschamps drejton ekipin që prej vitit 2012 dhe, prej asaj kohe koleksionon një çerekfinale Botërori, një vend të dytë në Europian dhe suksesin mitik të këtij muaji në stadiumin “Luzhniki”.

Franca në versionin e 2018-s i lejoi vetes luksin që të mos merrte në Botëror lojtarë si Martial, Lacazette, Benzema dhe Rabiot, por tregoi se edhe ata lojtarë enigma që ngjallnin dyshime e fituan me meritë medaljen e artë.

Në krahët e mbrojtjes janë Pavard dhe Hernandez, dy lojtarë nga 22 vjeç, ndërsa në mesfushë ka emra si Pogba dhe Kante, me muskuj të mjaftueshëm që të garantojnë të paktën edhe një Botëror. Në repartin sulmues, francezët u dashuruan me Mbappe dhe Griezmann. Ishin ata, që në një mënyrë ose një tjetër, me gola të shpejtë apo me penallti, e risollën Kupën e Botës në Paris.

Mosha e re e ekipit plotësohet me Umtiti dhe Varane, lojtarë në skuadrat më të mira, të superpaguar dhe të vlerësuar, që tani veçse me klubet kërkojnë të shtojnë edhe trofetë me kombëtaren.

Top Channel