Një krim i dyfishtë ka tronditur qytetin e Shkodrës mëngjesin e kësaj të diele. Një ish-punonjës policie dhe bashkëjetuesja e tij janë vrarë me armë zjarri brenda në automjetin e tyre, në sy të fëmijës një vjeç e gjysmë.
Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Rruga e gjerë”, në lagjen “Naim Gjylbegu”, poshtë pallatit ku banonte çifti. 35-vjeçari Boran Bercama dhe bashkëjetuesja e tij janë qëlluar me armë zjarri pistoletë, nga një distancë e afërt, rreth orës 1:30 pas mesnate, ndërsa trupat e pajetë janë gjetur në orën 6:40 të mëngjesit.
Breshëria e plumbave u kanë marrë atyre jetën në vend, teksa po ktheheshin nga një darkë. Për fat të mirë, foshnja që ndodhej në vendin e pasagjerit përpara, në prehrin e gruas së vrarë, ka shpëtuar nga plumbat.
Sipas grupit hetimor, autorët dyshohet të jenë të paktën dy persona, të cilët kanë ditur mirë çdo lëvizje të viktimave. Në shënjestrën e tyre, përveç ish-punonjësit të policisë ka qenë edhe bashkëjetuesja, për të zhdukur çdo dëshmi të mundshme.
Nga dyshimet e policisë duket se bëhet fjalë për një krim të kryer nga profesionistë, duke parë saktësinë e goditjeve me armë zjarri, ndërsa autorët kanë qenë të maskuar.
Aktualisht nuk dihen as motivet dhe as autorët e ngjarjes së rëndë, ndërsa dyshimet e para hidhen për ndonjë konflikt të kohëve të fundit të ish-punonjësit të policisë.
Boran Bercama kishte dhënë dorëheqjen para rreth 6 muajsh nga policia, ku shërbente si punonjës i Policisë së Rendit me patrullat. Policia ka shoqëruar disa persona, që dyshohet se kanë dijeni apo lidhje me ngjarjen. Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë të disa bizneseve aty pranë, për të mësuar më shumë mbi lëvizjen e autorëve.
Top Channel