Kalaja e Tiranës, zonë pedonale. Veliaj: Ruajmë të vjetrën kur vlen dhe përcjell histori

15/07/2018 13:40

Pas sheshit “Skënderbej” dhe “Pazarit të Ri”, Tirana do të ketë një tjetër hapësirë pedonale.

Hapësira pranë Kalasë së vjetër të Tiranës do t’u kthehet qytetarëve të kryeqytetit, si një hapësirë ku ndërthuret e vjetra me modernen, që do të shërbejë si mjedis kulinarie për gatimet tradicionale, por edhe një zonë për zhvillimin e kulturës dhe artit.

“Në qetësi, pa zhurmë, pa bujë, pa histeri, e kemi kthyer ‘çarshinë’ e Kalasë së vjetër të Tiranës në një kantier, i cili do të transformohet në një tjetër hapësirë pedonale, të ngjashme, e ndoshta edhe më të mirë sesa ‘Pazari i Ri’. Dua t’u bëj thirrje të gjithë sipërmarrjeve, të ngjashme me sipërmarrjet në ‘Pazarin e Ri’ që kanë një ‘tis’ të kulturës, të traditës sonë, qoftë në kulinari, qoftë në artizanat, qoftë në muzikë, qoftë në shërbimet e tjera publike, të fillojnë interesimin dhe besoj se shumë shpejt do të jetë një nga pjesët më të vizituara të Tiranës”, tha Veliaj.

Punimet për rinovimin e kalasë pritet të përfundojnë pas disa javësh. Kjo pjesë e Tiranës do të zhvillohet me partneritet publik-privat, ku familja Toptani vë në dispozicion pronën e saj.

“Pak metra nga Teatri i Ri kemi një simbiozë, ku diçka e Tiranës së vjetër bashkëjeton me modernen. Pra, çfarë realisht ka vlerë për t’u ruajtur, si muret e kalasë, patjetër që ruhet dhe përmirësohet. Çfarë është realisht e ndërtuar si diçka e përkohshme, ka nevojë të bëhet e re, që të ketë jetë të gjatë sa muret e kalasë, por të ndërtohet që në fillim si teatër, për Tiranën e 100 viteve që vijnë. E ardhmja e këtij qyteti nënshkruhet nga njerëzit punëtorë, nga ata që flasin pak”, deklaroi më tej Veliaj.

Në këtë hapësirë kulturore e tregtare do të ketë dyqane suveniresh me fokus historinë e Tiranës, mozaikë, restorante tradicionale, etj.. Për ta bërë atë më të qasshme do të ndërtohet edhe një rrugë e re në shërbim vetëm të këmbësorëve, që do ta lidhë atë me Unazën dhe “Rrugën e Elbasanit”.

FOTO GALERI
3/6

Top Channel