Të shumtë janë institucionet të cilat kanë arkivin e tyre të brendshme, por shumë pak prej tyre kanë të njëjtin interes që ka arkivi i shtetit dhe arkivi i Ministrisë së Jashtme.
Nëse në Arkivin Qendror të Shtetit gjenden informacione të gjithanshme, fondi arkivor i Ministrisë së Jashtme është po aq interesant në raport me natyrën e informacionit që përcjell.
Ky fond arkivor tashmë është në dispozicion të publikut. Deri tani arkivi i Ministrisë së Jashtme tani është “shfrytëzuar”, nga një grup i vogël studiuesish, historianësh apo diplomatësh.
Nisma për të publikuar online fondin arkivor të diplomacisë shqiptarë është padyshim një ndihmë e madhe për studentët e marrëdhënieve ndërkombëtare, shkencave politike, historisë, etj, por edhe për të gjithë ata qytetarë të interesuar për dosje apo zhvillime të rëndësishme historike.
Arkiva e Ministrisë së Jashtme vitet e fundit i është nënshtruar restaurimit duke krijuar kushtet e duhura për ruajtjen dhe kujdesin e dokumenteve me vlerë historike.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme sjell për publikun një rubrikë të re me titull: “Historia e diplomacisë shqiptare”. Kjo rubrikë synon t’i ofrojë publikut informacion të plotë për pasuritë arkivore historike të diplomacisë shqiptare. Plot 6 milion dokumente të cilat paraqesin dëshmi arkivore mbi ngjarje e figura të caktuara, të cilat lanë gjurmë në politikën e jashtme duke vendosur standarde në rrugëtimin diplomatik të shtetit shqiptar do të publikohen online për të gjithë ata qe janë te interesuar. Kjo rubrikë do të pasurohet çdo javë me informacione dhe dokumente të reja dhe synon të nxisë interesin dhe kuriozitetin publik mbi pasuritë tona arkivore.
Top Channel