Belgjika mori medaljen e parë të këtij Botërori, por jo atë që kishte shpresuar në nisjen e turneut.

Skuadra e trajnerit Roberto Martinez mundi 2-0 Anglinë në finalen e vogël, duke u renditur e treta, vend që i jep edhe medaljen e bronzit. Dy ekipet e zhgënjyera për mungesën në finalen e së dielës në Moskë dhuruan një lojë të bukur, të ndryshme nga ndeshja që kishin zhvilluar në fazën e grupeve po në këtë Botëror dhe në fund u imponuan me meritë “Djajtë e Kuq”.

Vetëm 4 minuta lojë mbretëroi barazpesha në stadiumin e Shën Pjetërburgut, pasi belgët morën avantazhin pas një kombinimi të Chadli me Meunier dhe ky i fundit gjeti hapësirë brenda zonës për të shënuar në portën e Pickford. De Bruyne dhe Alderveireld mund të kishin krijuar një epërsi më komode për Belgjikën, por shpërdoruan shanset e tyre, ndërsa Anglia, edhe pse dominoi në kontrollin e topit dhe në pasime, nuk arriti ta përkthejë këtë gjë në gol.

64 400 spektatorët në stadiumin e Shën Pjetërburgut menduan se barazimi do të vinte nga goditja e lehtë e Erik Dier, por në vijën fatale belgët i mohuan Anglisë golin që do të barazonte llogaritë. Ishullorët lanë hapësira në prapavijë, por u shpëtuan disa herë mrekullisht nga portieri Pickford. Ky i fundit gjithsesi nuk mund të bënte asgjë në golin e dytë të Belgjikës me autor kapitenin Hazard.

Belgjika merr medaljen e bronzit, ndërsa Anglia kthehet në shtëpi si e katërta në hierarkinë e Botërorit, por me kokën lart për një turne ku dhuroi shumë emocione.

FOTO GALERI
4/20

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA