Piktori rrëfen artin e tij në diktaturë dhe demokraci, Hila: Dënimi më ndihmoi

13/07/2018 15:34

Tani që ekspozita e parë retrospektivë e Edi Hilës në Galerinë Kombëtare të Arteve, ka ardhur në ditët e fundit e publiku ka marrë perceptimet dhe mesazhet nëpërmjet pikturës së tij, piktori ishte në një bashkëbisedim me studiuesen Eleni Laperi mbi veprimtarinë e tij artistike gjatë dy kohëve.

Piktura “Mbjellja e pemëve” dhe dekori i festivalit të 11, shërbyen si bazë për dominimin e Hilës, duke e dërguar për riedukim në fabrikën e rritjes së shpendëve në vitin 1974. Por ky ishte një paradoks që e ndihmoi artistin.

“Sipas praktikave që kishte atëherë artistik e shtetin, kuptohet që ishte gjithmonë i survejuar e gjithmonë nën kontroll. Por momenti i izolimit dhe dënimit ishte një moment që përthithte me ete edhe mungesën e këtij kontrolli. Mendoj që kjo ka qenë arsyeja që unë punova i lirë dhe në kushtet optimale pa i dhënë llogari kurrkujt”, shprehet Edi Hila, piktor.

Ekspozita është e ndërtuar nga koncepti i serisë. Seria Kërcënimi, bulevardi, emigrimi, tenda mbi çatinë e makinës, marrëdhëniet, paradoks etj, nuk ishin të paramenduara për artistin. Por heshtjen dhe përdorimin minimal të ngjyrës sidomos tek seria e bulevardit, Hila e shpjegon kështu.

“Bulevardi është diktatura. Bulevardi është perëndimi. Bulevardi është metropoli. Mua më intereson mermeri, me të cilin janë veshur ato ndërtesa duke filluar nga Akademia e Arteve, apo sheshi, apo kryeministra e me radhë. Nuk më intereson koloriti. Është e ftohtë situata. Unë kam sensibilitetin tim dhe unë e përjetoj në këtë mënyrë realitetin tim”, thotë piktori.

Energjia që ai merr në këtë vend në ndërtim e pa një rezultat përfundimtar e bën piktorin të ketë këtë pikturë imagjinare.

Ekspozita “Piktori i transformimit” do të qëndrojë e hapur deri më 29 korrik.

Top Channel