Fotoja me Erdogan, Özil kritikohet si në Gjermani, edhe në Turqi

12/07/2018 13:58

Mesut Özil është sot mes dy zjarresh. Kritikat që vërshuan lumë në Gjermani, pas fotos së tij me Recep Tayyip Erdoganin, tani kanë marrë hov të ri nga performanca e dobët e lojtarit në Botëror.

Por, ndërkohë, edhe në Turqi e presin me ndjenja të përziera, sepse nuk ia harrojnë që nuk ka luajtur për vendin e origjinës, e për këtë arsye nuk ka qenë asnjëherë lojtar i preferuar atje.

Tani po vihet në pikëpyetje edhe vazhdimësia e tij në Kombëtaren gjermane të futbollit.

Fotografia me Erdoganin shkaktoi një ortek reagimesh, që as Özili vet duket se nuk e kishte menduar. Megjithatë, ai ka vazhduar të heshtë.

“Nëse beson se e po e trajtojnë në mënyrë të padrejtë, duhej të ishte mbrojtur”, thonë ekspertë të cituar nga “Deutsche Welle”.

Nga ana tjetër, nëse bota e sportit në Gjermani do të ishte e mendimit se kjo fotografi nuk përshtatet me integrimin, atëherë ata nuk duhet ta kishin lënë fare që të luante për ekipin kombëtar.

Nëse Özili do të kishte bërë një lojë të mirë në futboll, mbase incidenti do të ishte harruar. Por tani, zërat kundër tij kanë marrë krahë prapë. Kjo ka bërë që të lindë pyetja: a është realisht i mundur integrimi i sportistëve gjermanë me rrënjë turke si Özili?

“Nuk ka një përgjigje të lehtë”, thotë Kenan Basaran i gazetës “Hürriyet”. “Sportistët, familjet e të cilëve kanë emigruar nga Turqia për në Gjermani, ndodhen në një dilemë të madhe midis të dyja vendeve”, shprehet ai.

“Në Turqi, Özilin e akuzuan se nuk luan për Turqinë. Tani e fajësojnë në Gjermani. Nuk mund ta mohosh konfliktin kulturor që përjetojnë këta njerëz”.

Top Channel