Ish-kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi nuk ka kundërshtuar asnjë fakt të Prokurorisë, e cila e akuzon për falsifikim të formularit të dekriminalizimit.
Sipas organit të akuzës, Rroshi, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë së Kavajës ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, duke fshehur një dënim penal që kishte marrë në Itali për përdhunim, si dhe përdorimin e disa emrave të rremë.
Që në seancën e parë ndaj tij në Gjykatën e Tiranës, Rroshi ka kërkuar gjykim të shkurtuar, kërkesë që u pranua si nga përfaqësuesi i Prokurorisë, ashtu dhe nga gjyqtarja e çështjes, Oltjona Goxhaj.
Elvis Rroshi përpara gjykatës, jo vetëm që ka pranuar aktet e Prokurorisë, por edhe akuzën. “Ndoshta duhej të kisha marrë një avokat”, ka qenë deklarata e Rroshit, me të cilën justifikoi faktin që nuk kishte shënuar në formularin e dekriminalizimit, faktin që ishte dënuar në Itali për akuzën e përdhunimit.
Nëpërmjet gjykimit të shkurtuar, Rroshi përfiton automatikisht uljen e një të tretës së masës së dënimit që do të vendosë gjykata në fund të procesit. Në kushtet kur nuk do të ketë një shqyrtim gjyqësor të kësaj çështjeje, gjyqtarja i dha dy ditë kohë përfaqësuesit të Prokurorisë që të paraqesë pretencën ndaj Rroshit.
Top Channel