Lola dhe Saimiri kanë krijuar me të ardhurat e fituara në emigracion një fermë të vogël në hyrje të Libohovës, e cila dëshirojnë të kthehet në një mundësi që vizitorët të njohin jetën shqiptare.
Libohova si destinacion është mes territoreve më të bukura natyrore lehtësisht e arritshme dhe një mundësi për ti bërë turistike vlerat e trashëgimisë, kulturës, arkeologjisë, natyrës dhe burimeve ujore.
Me idenë për ta kthyer banesën e tyre në një bujtinë që pret vizitorë e gjithë familja i është përkushtuar gjetjes së elementëve që ofrojnë për vizitorët identitetin lokal. Familja Hide mbarështon në fermën e saj të vogël kafshë e shpendë dhe një plantacion të vogël me fruta e perime. Lola dhe shumë gra të tjera në Libohovë përveç gatimeve i janë afruar tregut të suvenireve me punime të traditës si punime me shtiza, çanta, shami e veshje të qëndisura me motive traditcionale.
Miri dhe djemtë e familjes kujdesen për fermën dhe për ti ofruar vizitorëve shëtitje të shkurtra në qytetin e Libohovës dhe hapësirën rurale përreth. Puna dhe shërbimet në fermë është mes atraksioneve më të rëndësishme për vizitorët thotë ai. Familja e sheh krijimin e një bujtine si një mundësi të mirë për të jetuar në të ardhmen por ndjen nevojën e mbështetjes për iniciativën.
Zona, sipas tyre, është ende pak e promovuar dhe në raport me fluksin e shtuar të vizitorëve në Jug këtë vit shumë pak vizitorë kthehen për ta vizituar Libohovën.
Një pjesë e madhe e operatorëve turistikë e kanë evidentuar Libohovën si një destinacion që duhet të jetë brenda hartës së turizmit por ekspertët ende flasin për shërbime të munguara sidomos sa i përket mundësisë së akomodimit të grupeve.
Iniciativat për të çelur bujtina të vogla si ajo e familjes Hide duket se janë në harmoni me kërkesën për shërbime në këtë zonë.
Top Channel