Luis Enrique është zyrtarisht trajneri i ri i përfaqësueses spanjolle. Federata e Futbollit në vendin iberik ka konfirmuar emërimin e ish-trajnerit të Barcelonës në stolin e “La Roja”-s, ku zëvendëson Fernando Hierron.

Bordi drejtues i Federatës spanjolle të Futbollit e miratoi në mënyrë unanime caktimin e Luis Enriques në krye të skuadrës së Spanjës, me 48-vjeçarin që firmosi një kontratë deri në përfundim të Europianit të vitit 2020, një kontratë që nuk do të ketë në përbërje asnjë klauzolë për zgjidhjen e saj.

Luis Enrique do të marrë me vete, në stafin e tij në përfaqësuesen spanjolle, të besuarit e tij, ku spikat emri i Juan Carlos Unzue dhe ai i përgatitësit fizik, Rafel Pol, me të cilët ai ka punuar edhe te Barcelona. Po kështu, në stafin e tij do të jetë edhe një psikolog, Joaquin Valdes.

Luis Enrique do të publikojë listën e tij të grumbullimeve për herë të parë më 31 gusht, ku do të zgjedhë 23 futbollistë për ndeshjet që Spanja do të luajë ndaj Anglisë dhe Kroacisë, më 8 dhe 11 shtator, të vlefshme për “Nations League”.

Ditët e ardhshme do të bëhet edhe prezantimi i Luis Enriques, i cili pati një mbështetje më të madhe sesa dy kandidatët e tjerë, Quique Sanchez Flores dhe Michel. Në të njëjtën ditë me Luis Enriquen, Federata spanjolle prezantoi edhe drejtorin e ri sportiv të saj, Jose Francisco Molina, i cili do të bashkëpunojë me Luis Enriquen për ndërtimin e një skuadre të re te Spanja.

Top Channel